Secondary Adv

Bashkia e Tiranës miraton 1500 kuota të reja për kredi të buta për strehim

Programi synon të mbështesë familjet pa banesë me subvencionim interesi.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar 1,500 kuota të reja për mbështetjen me kredi të buta të familjeve në kryeqytet, në kuadër të programit social të “Subvencionimit të Interesave të Kredisë”. Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, deklaroi se pas rritjes së kërkesave nga qytetarët, bashkia ka planifikuar në programin buxhetor afatmesëm 2026-2028 mbulimin e këtyre kuotave me fondet e saj. Gjatë thirrjes për aplikime për vitin 2025 u shpallën fitues 1,231 individë apo familje me fondet e buxhetit të shtetit.

 

Kategoritë përfituese

Sipas Ristanit, programi mbështet familjet dhe individët që nuk kanë banesë në pronësi ose zotërojnë sipërfaqe nën normat e strehimit, që nuk kanë kryer tjetërsim prone në 5 vitet e fundit përveç rasteve të forcës madhore, si dhe ata që nuk përballojnë normën e interesit të tregut për blerjen e një banese. Ajo theksoi se projektvendimi synon rritjen e aksesit në pronësi për familjet e reja, uljen e barrës financiare të interesit bankar dhe forcimin e rolit të bashkisë në politikat sociale.

 

Procedura e aplikimit

Procesi i aplikimit do të zhvillohet në dy faza. Fillimisht, qytetarët duhet të aplikojnë elektronikisht përmes portalit “e-Albania” brenda një afati 30-ditor, pas së cilës do të shpallen listat paraprake. Në fazën e dytë, aplikantët dorëzojnë dokumentacionin fizikisht ose me postë, i cili i nënshtrohet verifikimit administrativ për 30 ditë dhe më pas shqyrtohet nga Komisioni i Strehimit brenda 45 ditësh. Parashikohet e drejta e ankimimit në çdo fazë të procesit, për të garantuar një procedurë të rregullt administrative.

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat